Arrestohet trafikanti “El Pepe”, çoi në gjurmimin dhe vrasjen e bosit meksikan “El Mencho”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.03.2026, 16:32

Autoritetet në Meksikë kanë arrestuar një trafikant droge që dyshohet se ka pasur rol kyç në ngjarjet që çuan në eliminimin e një prej figurave më të fuqishme të kartelit në vend, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes e Meksikës.

Sipas autoriteteve, i arrestuari José “N”, me nofkën “El Pepe”, dyshohet se organizoi transportin e partneres së Osegueras drejt një rezidence luksoze në komunën Tapalpa, në shtetin perëndimor Jalisco. Pikërisht ky takim besohet se ndihmoi autoritetet të lokalizonin vendndodhjen e liderit të kartelit.

Shërbimet e inteligjencës ushtarake arritën të gjurmonin lëvizjet e tij, ndërsa vendndodhja u konfirmua edhe nga informacione të siguruara nga inteligjenca amerikane. Oseguera, drejtues i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), u plagos për vdekje gjatë një operacioni të forcave elitare më 22 shkurt. Më herët ai ishte parë në një klub në zonën rurale të Jalisco-s.

Autoritetet e konsiderojnë “El Pepe” një nga personat kyç të logjistikës së kartelit. Ai u arrestua në komunën Tlajomulco, gjithashtu në Jalisco, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan drogë, armë dhe një automjet.

"El Mencho" ishte një nga personat më të kërkuar në Meksikë dhe gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritetet amerikane kishin vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në kapjen e tij, ndërsa sipas një zyrtari të lartë të DEA ai konsiderohej një nga objektivat kryesorë të luftës kundër trafikut të drogës.

Pas vdekjes së tij, anëtarë të kartelit CJNG reaguan me dhunë duke bllokuar rrugë në 20 nga 32 shtetet e Meksikës dhe duke djegur automjete e biznese. Incidentet u regjistruan edhe në qytete të rëndësishme si Guadalajara dhe në destinacionin turistik Puerto Vallarta në Jalisco.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit