Një foshnjë 2-muajshe ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Prindërit e foshnjes për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike, kërkojnë ndihmë për të marrë trupin e pajetë të fëmijës dhe për ta varrosur në vendlindjen e tyre, në Maliq.
Babai i foshnjës, Arben Veshalliu, tregon se djali i tij kishte lindur para kohe dhe me probleme shëndetësore. Sipas tij, fëmija u vendos fillimisht në inkubator dhe qëndroi rreth një muaj në Tiranë, ndërsa më pas u dërgua për trajtim në Korçë për rreth 10 ditë.
“Na telefonuan dhe na thanë të shkonim ta merrnim fëmijën. Kur e morëm, na dhanë disa ilaçe për t’ia dhënë në shtëpi. I kam dhënë edhe qumësht pluhur, por nuk ishte fëmijë që pinte shumë”, tregon ai.
Babai thotë se gjendja e foshnjës u përkeqësua sërish, pasi nuk ushqehej dhe nxirrte qumështin që konsumonte. Ai e dërgoi fillimisht në spitalin e Devollit, prej nga u referua në Korçë dhe më pas u transportua sërish drejt Tiranës për trajtim në QSUT.
Sipas Veshalliut, ai u detyrua të kthehej në shtëpi pasi nuk kishte mundësi financiare për të qëndruar në Tiranë.
“U ktheva me ambulancë sepse nuk kisha lekë as për të qëndruar, as për të ngrënë e për të pirë”, shprehet ai.
Pak më vonë, familjarët morën njoftimin se foshnja kishte ndërruar jetë. Babai pretendon se kur e morën fëmijën nga spitali herën e parë, mjekët nuk i kishin informuar se ai kishte ende probleme serioze shëndetësore.
Ai tregon gjithashtu se familja ndodhet në kushte shumë të vështira ekonomike. Bashkëshortja e tij trajtohet me KEMP dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor. Për këtë arsye, familja apelon për ndihmë që trupi i pajetë i foshnjës të transportohet nga Tirana në Maliq, në mënyrë që ata të mund ta varrosin pranë shtëpisë së tyre.
”Ne nuk kemi mundësi ta marrim fëmijën tonë në Tiranë. Kërkojmë që të na e sjellin fëmijën këtu, që ta varrosim këtu. Gruaja ime është me KEMP sepse ka sëmundje mendore. Edhe KEMP-in duan t’ia presin. Ajo nuk është as për punë, për asgjë. KEMP-i i duhet, por ata edhe atë duan t’ia heqin. Jemi në vështirësi shumë të madhe ekonomike”.