Si Inez Hajrulla mori kontrollin e qytetit dhe u kthye në ‘El Padrinon’ e Vlorës pas ekzekutimit të Edison Faqedjegurit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.03.2026, 15:31

Një nga grupet më të fuqishme kriminale në Shqipëri konsiderohet ai që për vite me radhë dyshohet se ka trafikuar tonelata kokaine drejt Amerikës Latine dhe disa vendeve të Bashkimit Europian. Aktiviteti i tij nuk kufizohej vetëm te trafiku i drogës, por përfshinte edhe vrasje për pazare droge, gjobëvënie dhe zhdukje personash, kufomat e së cilëve ende nuk janë gjetur. Goditja ndaj këtij rrjeti erdhi vetëm në vitin 2026, kur SPAK ndërmori një operacion të gjerë ndaj grupit.

Megjithëse zbulimi i plotë i strukturës së tij ndodhi së fundmi, fillesat e këtij grupi datojnë vite më parë, kur ai drejtohej nga një prej figurave më të njohura të botës së krimit në Vlorë, Edison Harizaj, i njohur ndryshe si “Edison Faqedjeguri”, nofkë që i vinte që nga fëmijëria për shkak të një shenje djegieje në fytyrë. Harizaj, i dënuar më parë për vrasje, pas daljes nga burgu arriti të krijojë një ndikim të fortë në qytetin bregdetar, duke ndërtuar lidhje të fuqishme në botën e krimit, mes tyre edhe me Emiliano Shullazin. Me bazën pranë zonës së Ujit të Ftohtë, te kompleksi i njohur si “7 pallatet Oslo”, ai u konsiderua “El Padrino” i Vlorës.

Megjithatë, pas 'shkëlqimit' të Faqedjegurit do të vinte dhe 'rënia'. Në nëntor të vitit 2018 Harizaj u zhvendos në Durrës, ku u vendos nën mbrojtjen e një grupi tjetër kriminal, pasi parandiente se diçka e keqe do t'i ndodhte. Parashikimi i tij rezultoi i saktë. Më 6 nëntor 2018 rreth orës 23:00, teksa po kthehej nga Tirana drejt Vlorës, Harizaj u ekzekutua në Kavajë. Automjeti ku udhëtonte bashkë me mikun e tij Gentian Caci u qëllua me rreth 50 plumba, duke u marrë jetën të dyve. Në atë kohë u morën në pyetje Xhevdet Troplini dhe nipi i tij Elvis Doçi, të cilët sot janë gjithashtu në kërkim nga SPAK për përfshirje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik narkotikësh drejt Amerikës Latine.

Pas vrasjes së Faqedjegurit, drejtimin e grupit e mori 33-vjeçari Inez Hajrulla, i cili u betua se do të merrte hak për ekzekutimin e "Padrinos". Me kalimin e kohës ai vazhdoi aktivitetin e nisur nga Harizaj dhe u konsiderua si figura kryesore e rrjetit kriminal në Vlorë.

Hajrulla i mbijetoi disa atentateve ndaj tij. I pari ndodhi më 27 nëntor 2017 në rrugën “Sulejman Delvina”, kur një sasi eksplozivi shpërtheu në automjetin e tij tip “Jeep”. Edhe pse mbeti i plagosur rëndë ku mori dëmtime në gjymtyrët e poshtëm, ai arriti të shpëtojë. Në maj të vitit 2019 ndaj tij u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë, por sërish i shpëtoi sulmit. Një tjetër atentat i planifikuar në gusht të vitit 2023, ku Amarildo Nikolli kishte mbërritur në Vlorë me urdhër nga Dubai për të vrarë Hajrullën dhe mikun e tij Ervis Matodoshaj, u parandalua nga Policia.

Në skenën e konflikteve kriminale u përmend shpesh edhe emri i Fatmir Hysenit, i njohur si “Doqja”, i dyshuar si një nga personat që mund të kishte lidhje me ekzekutimin e Harizajt dhe atentatin ndaj Hajrullës në vitin 2019. Hyseni është shpallur në kërkim nga SPAK edhe për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, i konsideruar si krahu i djathtë i Ervis Martinajt.

Në pamundësi për të arritur “Doqen”, Hajrulla dyshohet se urdhëroi ekzekutimin e kushëririt të tij, Gentian Qarri. Më 6 shkurt 2021, Qarri u vra në dalje të banesës së tij në lagjen “29 Nëntori” në Vlorë. Ai ishte dënuar më parë në Itali për trafik droge, por pas kthimit në Shqipëri jetonte në dukje një jetë normale dhe punonte si hidraulik.

Vetëm pak muaj më pas, më 10 maj 2021, në Vlorë u ekzekutua me breshëri kallashnikovi edhe biznesmeni Bledar Birçaj, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip BMW X5 në rrugën “Hajro Çakërri”. Sipas dyshimeve, Birçaj kishte pasur lidhje me një sasi kokaine të marrë në Spanjë pak kohë para se të kthehej në Shqipëri. Të dyja këto ngjarje janë zbardhur nga SPAK dhe konsiderohen pjesë e konfliktit kriminal të lidhur me grupin e Hajrullës.

Pavarësisht akuzave të rënda dhe atentateve të shumta ndaj tij, Hajrulla ashtu si atentateve arriti t’i shpëtojë edhe policisë ku gjatë operacionit të BKH dhe SPAK u bastis baza e tij në zonën e “7 pallateve Oslo” në Vlorë. Në katet e sipërme të ndërtesës, pas dyerve të blinduara e me gjemba dhe ambienteve të mbushura me kamera sigurie, hetuesit dyshojnë se mund të jenë kryer një sërë aktivitetesh kriminale, përfshirë torturime dhe vrasje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit