Një vit pas vrasjes së shqiptares, prindërit e saj: Markun dhe nënën e tij s’do i falim kurrë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.03.2026, 13:58

Një vit pas vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula, prindërit e saj vazhdojnë të kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës, një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës. Banorët e zonës e quajnë tashmë atë pjesë “rruga e Ilarias”.

Studentja shqiptare nga Terni u vra më 25 mars të vitit të kaluar nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson. Trupi i saj u gjet më 2 prill i fshehur në një valixhe mes ferrave pranë rrugës.

Prindërit, Flamur dhe Gezime Sula, kujdesen me përkushtim për memorialin në vendin ku u gjet vajza e tyre. Nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai rregullon lulet dhe ambientin përreth. Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.

Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën ka lënë vetëm boshllëk. “Jeta jonë u ndal më 2 prill. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne,” tha ajo për Il Messaggero.

Babai thekson se vajza ëndërronte një të ardhme të ndritur.

Ajo studionte Statistikë dhe do të diplomohej në tetor. Donte të punonte në fushën financiare dhe kishte shumë plane për jetën,” tregoi Flamur Sula.

Drama për familjen nisi më 25 mars, kur Ilaria ndaloi së përgjigjuri në telefon.

Herën e fundit që folëm ishte më 25 mars. Po planifikonim fundjavën tonë në Terni së bashku. Orarin e trenit, takimin për te parukeria dhe pazarin e pasdites, si nënë e bijë. I kisha blerë një pulovër disa ditë më parë, e kishim zgjedhur së bashku në telefon,” kujtoi nëna e saj.

Gjithçka në dhomën e vajzës mbeti e pandryshuar.

Është ende në sirtarin e saj. Nuk doja ta jepja. Gjithçka mbeti ashtu siç e la më 15 mars, dita e fundit që fjeti atje. Ajo ishte hera e fundit që e pamë gjallë,” rrëfeu ajo mes lotësh.

Familja raportoi zhdukjen e Ilarisë më 29 mars, pasi ajo nuk u kthye në shtëpi siç kishte planifikuar. Babai kujtoi:

“Një baba e ndjen kur mesazhet nuk i shkruan vajza e tij. Pritëm deri më 29 mars dhe pastaj shkuam të raportojmë zhdukjen. Ilaria nuk do të na kishte lënë kurrë.”

Sipas familjes, Mark Samson i ka dërguar një letër nga burgu për t’u kërkuar falje, por prindërit janë të prerë:

“Ne nuk falim askënd. Kur një vajzë thotë jo, është jo. Askush nuk ka të drejtë t’i marrë jetën,” tha babai i saj.

Nënë Gezime Sula reagoi ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila kishte ndihmuar të birin të fshehte gjurmët: “Ajo nuk është nënë. Nuk ka falje, kurrë. Ecën mbi gjakun e vajzës sime.”

Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares vazhdon, dhe prindërit nuk mungojnë në asnjë seancë.

“Do të vazhdojmë të jemi aty. Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të mos kujtohet si ‘vajza e valixhes’, por për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë,” përfundon babai i saj për Il Messaggero.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit