Më 17 mars nis udhëtimi shpirtëror i “Trembëdhjetë të martave të Shna Ndout”, një traditë e njohur e besimtarëve katolikë që i përgatit ata për festën e Shën Antonit të Padovës më 13 qershor. Ky devocion antonian zgjat për 13 javë rresht, gjatë të cilave besimtarët mblidhen për lutje dhe meshë, duke nderuar figurën e shenjtit françeskan, të njohur si predikatar i shquar dhe pajtor qiellor i të varfërve dhe atyre që vuajnë.
Tradita dëshmohet çdo vit nga prania e madhe e pelegrinëve në shenjtëroret dhe kishat kushtuar Shën Antonit. Edhe në trevat shqiptare kjo përshpirtëri është shumë e përhapur, veçanërisht në Kishën e Shna Ndout në Laç dhe në Gjakovë, ku besimtarë të shumtë ngjiten për t’u lutur dhe për të kërkuar ndërmjetësimin e shenjtit për shëndet, paqe dhe ndihmë në vështirësitë e jetës.
Ky pelegrinazh praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe lutjeje a falenderimi që i dërgohet shenjtorit Shna Ndou, i cili bën edhe mrekulli. Pelegrinazhi i shenjtë fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë nga të gjitha fetë, ndezin qirinj në guvat e shkëmbi9njëve dhe sfidojnë fatin duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout.
Kremtimi i “13 të martave të Shna Ndout” lidhet me kujtimin e ditës së varrimit të shenjtit, që u kremtua të martën pas vdekjes së tij më 17 qershor të vitit 1231 në Padovë. Sipas traditës, gjatë përcjelljes së trupit të tij nëpër rrugët e qytetit ndodhën shumë mrekulli për ata që iu lutën ndërmjetësimit të tij. Për besimtarët, figura e Shën Antonit mbetet një udhërrëfyes shpirtëror që i fton të ecin drejt Jezu Krishtit, të cilin ai e konsideronte burimin e jetës, rrugën, të vërtetën dhe jetën.