Anxhela Byku, një 20-vjeçare me origjinë shqiptare, humbi jetën mbrëmjen e së enjtes në Piacenza të Italisë, pas një rënieje dramatike nga ballkoni i banesës ku jetonte me bashkëshortin e saj, gjithashtu shqiptar.
Shërbimet e emergjencës, përfshirë 118 dhe karabinierët, mbërritën në pallatin në Viale Beverora pas alarmit të dhënë nga bashkëshorti i saj, i cili e gjeti të shtrirë në oborrin e brendshëm të ndërtesës. Përplasja me tokën, nga një lartësi rreth 10 metrash, i shkaktoi dëmtime të rënda, veçanërisht në kokë, që rezultuan fatale.
Njësia hetimore e karabinierëve ka kryer rindërtimin e ngjarjes dhe inspektime të hollësishme në apartament dhe ambientet përreth. Hetuesit përjashtuan përfshirjen e palëve të treta dhe tani besohet se shkaku i rënies ishte një aksident, shkruajnë mediat.
Sipas hetimeve, vajza kishte ngelur jashtë apartamentit dhe në përpjekje për t’u kthyer brenda përmes ballkonit, humbi ekuilibrin dhe ra.
Familjarët e vajzës, përfshirë nënën dhe motrën, kanë mbërritur nga Shqipëria për të qëndruar pranë të afërmve të saj.