Njësia Novoselë rikthen fadromat në Mifol, Bashkia Vlorë: ‘2A Group’ nuk ka leje

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.03.2026, 13:46

Firma “2A Group” e Valon Ademit është rikthyer sërish në fshatin Mifol për të marrë dhera inerte, edhe pas publikimit të rasit në JOQ rezultoi se aktiviteti ishte kryer pa leje dhe u pezullua pas ndërhyrjes së institucioneve.

Në janar të vitit 2026, kompania solli fadroma dhe kamionë në zonë dhe për disa ditë me radhë qindra mjete transportuan dhera drejt kantierit të aeroportit. Punimet nisën pa leje mjedisore dhe pa miratim nga institucionet përgjegjëse, ndërsa firma u mbështet vetëm në një shkresë të Njësisë Administrative Novoselë që i referohej një vendimi të vitit 2014 për përdorimin e zonës si vend varrezash.

Banorët e Mifolit reaguan duke denoncuar shkatërrimin e pronave. Një prej tyre, Ilir Moçka, bëri kallëzim në polici, por sipas tij ndaj denoncimit nuk u mor asnjë masë konkrete.

Pas publikimit të rastit në JOQ, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërhyri dhe njoftoi pezullimin e punimeve për mungesë dokumentacioni. Edhe Prefektura kërkoi sqarime nga Bashkia Vlorë për aktivitetin e firmës.

Në një përgjigje zyrtare të datës 10 shkurt, Bashkia Vlorë deklaroi se kompania nuk kishte asnjë leje për marrjen e dherave. Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, “2A Group” është rikthyer në zonë duke pretenduar se tashmë disponon një leje të re të lëshuar më 23 janar 2026 nga Njësia Administrative Novoselë, e cila i lejon kompanisë të marrë dhera deri në rrafshimin e kodrës.

Situata ka krijuar një përplasje të hapur institucionale: nga njëra anë Njësia Administrative Novoselë ka dhënë leje për aktivitetin, ndërsa nga ana tjetër Bashkia Vlorë deklaron zyrtarisht se nuk ka miratuar asnjë leje për këtë ndërhyrje, ndërkohë që banorët vijojnë të kundërshtojnë punimet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit