Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po shqyrton kërkesat e paraqitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për vendosjen ose jo në regjimin e posaçëm të sigurisë 41-bis të pesë të burgosurve.
Edhe pse identiteti i tyre nuk është bërë publik, ekzistenca e këtyre procedurave përmendet në raportin vjetor të SPAK, ku theksohet se personat në fjalë vijojnë të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Kjo do të thotë se çdo komunikim apo takim i tyre monitorohet me kujdes, për të verifikuar nëse nga qelitë vazhdojnë të mbajnë kontakte me elementë të krimit të organizuar.
Në rast se nga verifikimet e SPAK dalin prova të mjaftueshme që justifikojnë izolimin e tyre, vendimi përfundimtar për vendosjen në regjimin 41-bis firmoset nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ky regjim, i frymëzuar nga modeli italian i përdorur kundër mafies së Cosa Nostra, parashikon izolim pothuajse total të të burgosurve dhe kufizime të rrepta në komunikimet dhe takimet me jashtë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë një viti Drejtoria e Burgjeve ka paraqitur në total nëntë kërkesa për vendosjen e të dënuarve në këtë regjim të ashpër, duke u bazuar në dyshimet se ata vazhdojnë të japin apo marrin udhëzime për aktivitete kriminale edhe nga burgu.
Megjithatë, për katër prej rasteve, pas analizimit të përgjimeve dhe provave të mbledhura, SPAK ka vendosur të mos nisë procedurat për kalimin e tyre në regjimin 41-bis, pasi indiciet nuk janë vlerësuar të mjaftueshme.
Ndërkohë, nga dy sektorët e posaçëm të krijuar për këtë regjim izolimi, njëri prej tyre është mbyllur dhe është përshtatur për të strehuar të penduarit e drejtësisë, të cilët mbahen të veçuar nga të burgosurit e tjerë për arsye sigurie. Ndërsa sektori tjetër, që ndodhet në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, aktualisht nuk ka asnjë të burgosur të vendosur në regjimin e ashpër 41-bis.