Qeveria gjermane ka njoftuar të dielën se do të propozojë një rregullore që ndalon stacionet e karburantit të rrisin çmimet më shumë se një herë në ditë dhe njëkohësisht forcon ligjet e konkurrencës në këtë sektor.
Sipas një zëdhënësi në Berlin, rritja e çmimeve do të lejohet vetëm një herë në mesditë.
Zëdhënësi shtoi se kontrolli i praktikave të mundshme anti-konkurruese do të intensifikohet, me procedura më të thjeshtuara që i lejojnë Autoritetit të Kartelit të ndërhyjë kur konstatohet se çmimet janë ngritur në mënyrë të papërshtatshme.
Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, kishte bërë më parë të ditur se qeveria po shqyrtonte mënyra për të përmirësuar mbikëqyrjen e tregut të karburanteve. Qëllimi është të forcohen kontrollet mbi çmimet, pasi kompanitë janë akuzuar për rritje artificiale të çmimeve të benzinës dhe naftës.
Ajo gjithashtu njoftoi se po mendohet një rregull “një herë në ditë”, i ngjashëm me atë që është aplikuar në Austri.
Megjithatë, stacionet do të lejohen të ulin çmimet më shpesh se një herë në ditë. Qeveria synon që këto rregulla të hyjnë në fuqi para javës së parë të prillit, por vëzhguesit mbeten të ndarë për efektivitetin e tyre në uljen e çmimeve.