Është zbardhur atentati me eksploziv i ndodhur më 10 mars, ku një sasi lënde plasëse iu vendos automjetit të 36-vjeçarit Oltion Klosi.
Si rezultat i hetimeve, në pranga kanë përfunduar shtatë persona, të cilët dyshohet se vepronin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të arrestuarit janë Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama, Eklips Leti, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla.
Sipas hetimeve, porositësi i dyshuar i këtij atentati është Sabah Nuzi, i cili ndodhet aktualisht në burg.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Jurgen Gjonaj dyshohet të jetë personi që ka vendosur dhe aktivizuar lëndën plasëse në automjetin e 36-vjeçarit. Ai mendohet se është ndihmuar nga Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, të cilët dyshohet se i kanë siguruar informacione mbi vendndodhjen e automjetit, fotografi të tij, biçikletën që përdori për lëvizje, si dhe banesën ku u strehua pas ngjarjes, përveç sasisë së eksplozivit.
Ndërkohë, sipas policisë, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin e dyshuar të vendosjes së eksplozivit, duke e ndihmuar në realizimin e atentatit.