Një 21-vjeçare është viktimë e një ngjarjeje të rëndë në Tiranë, ku sipas policisë është përdhunuar nga punëdhënësi i saj, një shtetas i huaj 48-vjeçar me iniciale M. F. Ngjarja ka ndodhur në një banesë të marrë me qira në rrugën “Bogdanëve”, ku e reja punonte si dizajnuese bizhuterish online për llogari të tij.
Sipas kallëzimit të viktimës më 01.12.2025, shtetasi M. F. ka kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj, ndërkohë që e ka shantazhuar duke i thënë se do t’i tregonte familjes së saj për këtë. Viktima ka deklaruar se marrëdhënia ka vijuar edhe më pas nën kërcënimin e punëdhënësit.
Policia njofton se gjatë kontrollit fizik ndaj 48-vjeçarit iu gjet një mjet prerës, dhe ai u arrestua menjëherë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2. Ngjarja po hetohet më tej për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të siguruar drejtësi për viktimën.