Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Piacenza të Italisë, ku një vajzë shqiptare 20-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi pranë pallatit ku jetonte.
Viktima është Anxhela Byku, e njohur nga miqtë dhe të afërmit si “Angi”. Ajo u dërgua me urgjencë në spital pasi u gjet e plagosur rëndë në oborrin e ndërtesës ku banonte, në rrugën Via Beverora, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte.
Sipas raportimeve të mediave lokale italiane, dyshimet e para të autoriteteve flasin për një aksident tragjik, ndërsa përjashtohet mundësia e një veprimi të qëllimshëm apo e përfshirjes së personave të tjerë. Rasti po hetohet nga Arma dei Carabinieri.
E reja u gjet në orët e para të mëngjesit nga një fqinj, i cili njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, plagët e marra rezultuan fatale.
Nga të dhënat paraprake të hetimit dyshohet se 20-vjeçarja kishte dalë jashtë apartamentit pasi kishte dëgjuar zilen e derës, por pa marrë çelësat me vete. Pasi mbeti jashtë dhe nuk mund të hynte më në banesë, ajo dyshohet se ka tentuar të ngjitet nga jashtë ndërtesës për të arritur në ballkonin e apartamentit në katin e dytë.
Gjatë përpjekjes për t’u ngjitur në fasadë, ajo besohet se ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga disa metra lartësi, duke pësuar dëmtime të rënda që i kushtuan jetën.