Një në katër familje në Shqipëri nuk arrin të paguajë në kohë qiranë dhe faturat e shtëpisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.03.2026, 09:30

Rreth 24.2% e familjeve në Shqipëri kanë pagesa të prapambetura për qiranë, faturat e shërbimeve (energji, ujë, ngrohje) ose këstet e banesës, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023. Kjo do të thotë se afërsisht një në katër familje ka vështirësi të paguajë në kohë detyrimet që lidhen me banimin.

Sipas Monitor ky nivel është më shumë se dyfish i mesatares së Bashkimit Europian, që në 2023 ishte rreth 9–10%, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me vështirësitë më të mëdha për përballimin e kostove të strehimit, pas Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

Përqindja e lartë e pagesave të prapambetura tregon se shumë familje janë financiarisht të brishta, të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve, humbjes së të ardhurave apo shpenzimeve të papritura. Në vendet e Europës Perëndimore, si Gjermania, Franca, Holanda dhe Austria, vetëm 5–10% e familjeve përballen me vonesa të tilla.

Edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor situata është më e vështirë se në BE, por Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë, me 24.2%, mbi Serbinë (17.9%) dhe pranë vendeve me presion të fortë financiar si Turqia (26.3%).

Megjithëse Shqipëria ka ende çmime relativisht më të ulëta për qiratë dhe faturat, të ardhurat më të ulëta dhe rritja e kostove të jetesës bëjnë që shumë familje të kenë vështirësi në pagesën e tyre. Presioni mund të rritet edhe më tej nëse çmimet e banesave vazhdojnë të rriten më shpejt se pagat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit