Banorët e Rrugës “Fuat Toptani” në Tiranë kanë denoncuar një problem shqetësues që sipas tyre vazhdon prej kohësh në zonë. Sipas një mesazhi të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, një tubacion uji ka shpërthyer dhe ujërat kanë dalë në sipërfaqe, duke krijuar vështirësi për banorët dhe kalimtarët.
Qytetari shprehet se pavarësisht ankesave të bëra, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e situatës. Banorët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet përkatëse dhe paralajmërojnë se nëse problemi vazhdon të neglizhohet, janë të vendosur ta çojnë çështjen më tej në media dhe madje të organizojnë protestë duke bllokuar rrugën derisa të merren masa konkrete.
"Përshëndetje JOQ! Po ju shkruaj për të bërë publik një shqetësim serioz që po përjetojmë prej kohësh si banorë të zonës. Ka plasur një tubacion. Problemi ndodhet në Tiranë, në Rrugën Fuat Toptani. Kemi kohë që përballemi me këtë situatë dhe, pavarësisht ankesave që janë bërë, deri tani nuk është marrë asnjë masë për ta zgjidhur. Gjendja është bërë shumë shqetësuese për banorët dhe duket sikur askush nuk po merr përgjegjësi. Për këtë arsye po ju drejtohemi juve që ta bëni publik këtë problem, me shpresën që institucionet përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa. Nëse vazhdon të neglizhohet, jemi të vendosur ta çojmë këtë çështje edhe më tej në media investigative dhe, nëse është e nevojshme, të organizojmë edhe protestë duke bllokuar rrugën deri sa zëri ynë të dëgjohet dhe të merren masa konkrete ndaj atyre që nuk kanë reaguar. Faleminderit për vëmendjen", shkruan qytetari.