Një qytetar ka denoncuar ndotjen e detit në Golem, në prag të sezonit turistik, duke pretenduar se ujërat e zeza po derdhen drejtpërdrejt në det, aty ku pushuesit shkojnë për t’u larë. Sipas denoncimit, kjo situatë përbën një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe për imazhin e turizmit, pasi njerëzit shkojnë në det për pushim dhe jo për t’u përballur me ndotje dhe rrezik infeksionesh.
Qytetari shprehet se i njëjti fenomen ndodh përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Shëngjini deri në Ksamil dhe kërkon reagim nga institucionet përgjegjëse. Ai thekson se në shumë vende të Europës ujërat e zeza trajtohen në impiante përpunimi përpara se të derdhen në det dhe shton se mungesa e masave dëmton rëndë turizmin, duke bërë që turistët të zgjedhin vende të tjera ku pastërtia dhe standardet respektohen.
"Përshëndetje JOQ! Desha të bëja 1 denoncim: shih si ujërat e zeza derdhen në det në Golem, në prag të sezonit turistik, ku njerëzit shkojnë për t’u larë në det e jo për të marrë infeksion nga ujërat e zeza që i shkarkojnë në det. Ku është Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Kryeministri që të marrë masa për këtë skandal të rëndë që ndodh në gjithë vijën bregdetare nga Shëngjini deri në Ksamil? I njëjti fenomen është. Pse shteti nuk merr masa që ujërat e zeza në bregdet të kenë pikë impianti përpunimi, siç e ka e gjithë Europa, apo bizneset që i shkarkojnë ujërat në det u japin kafe zyrtarëve të bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës që të bëjnë 1 sy qorr e 1 vesh shurdh dhe thonë s’ka turizëm? Normale që turisti do ikë jashtë, ku ka pastërti e jo infeksion të sëmuret", shkruan qytetari.