Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale po i lë njerëzit pa fjalë. Në pamje shihet sportisti kinez Cen Xiaolin, i cili realizon një performancë pothuajse të pabesueshme duke bërë 228 kërcime me litar në vetëm 30 sekonda, një rekord që është regjistruar edhe nga Guinness World Records.
Pamjet janë aq të shpejta sa në shumë momente duket sikur litari zhduket nga sytë e shikuesve. Në fakt, shpejtësia e tij është kaq e madhe saqë edhe gjyqtarët shpesh duhet të përdorin kamera me slow-motion për të numëruar saktësisht çdo kërcim.
Rekordi spektakolar u realizua gjatë Jump Rope World Championships, një kampionat botëror i kërcimit me litar që u zhvillua në Shanghai në vitin 2019. Megjithatë, video të performancave të tij kanë vazhduar të shpërndahen ndër vite dhe së fundmi janë bërë sërish virale në internet.
Ajo që e bën këtë rekord edhe më të jashtëzakonshëm është ritmi i frikshëm: 228 kërcime në 30 sekonda do të thotë rreth 7.6 kërcime për sekondë. Praktikisht, çdo kërcim ndodh në një fraksion të sekondës.
Sekreti i shpejtësisë së tij qëndron te teknika. Xiaolin përdor një stil shumë efikas ku pothuajse nuk lëviz krahët, por vetëm kyçet e duarve, ndërsa kërcen shumë pranë tokës për të minimizuar kohën që kalon në ajër.
Edhe pajisja që përdor është e veçantë: një litar shumë i hollë, shpesh metalik, i projektuar për të pasur rezistencë minimale ndaj ajrit dhe për të lejuar rrotullime sa më të shpejta.
Për këtë arsye, në botën e këtij sporti Cen Xiaolin shpesh quhet edhe “motori i kërcimit me litar”, pasi ka thyer disa herë rekorde të ngjashme dhe vazhdon të mbetet një nga atletët më të shpejtë në historinë e këtij disipline.
Videoja e tij po shpërndahet masivisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues komentojnë se është pothuajse e pamundur të numërosh kërcimet me sy të lirë. Në fakt, për ta parë qartë ritmin e tij marramendës, shumë prej tyre po e rishikojnë videon në ngadalësim.