Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore.
Ai ka dërguar në redaksinë tonë një video ku tregon se ka blerë një pako djathë 'Parmigiano Reggiano' në një market lagjeje, por sapo e ka hapur produktin ka konstatuar se ai ishte i mykur pothuajse tërësisht.
Në pamjet e dërguara, të cilat qytetari i ka regjistruar menjëherë pas hapjes së paketimit, duket qartë se djathi është i mbuluar nga myku, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën se si ruhen dhe kontrollohen produktet ushqimore që shiten për konsum.
Qytetari ka vënë në dispozicion edhe kuponin tatimor, i cili tregon se blerja është bërë sot në 'Family Market' në zonën e Yzberishtit në Tiranë.
Në videon e dërguar në redaksi ai shprehet:
“Përshëndetje JOQ! Ky është djathi që kam marrë në një supermarket këtu te lagjja ime në Tiranë, në Astir. Sapo hapa djathin… ja shikojeni këtu. A ju duket gjë normale kjo? Jemi në vitin 2026, ku është kontrolli i këtyre supermarketeve? Nuk dimë as çfarë hamë. Nuk ka as datë skadence, asgjë. Faleminderit!”
Sipas qytetarit, në paketimin e produktit nuk është gjetur asnjë informacion i qartë për datën e skadencës, çka e bën situatën edhe më shqetësuese.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze për kontrollin e sigurisë ushqimore në tregjet e lagjeve dhe për rolin e institucioneve përgjegjëse. Në një kohë kur konsumatorët duhet të jenë të mbrojtur nga produkte të prishura apo të rrezikshme për shëndetin, raste të tilla tregojnë se kontrolli në terren duket se mungon.
Pyetja që shtrohet është: ku është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit? Si është e mundur që në vitin 2026 të shiten produkte të mykura dhe pa informacion bazë si data e skadencës?
Siguria ushqimore nuk është luks, por një detyrim ndaj qytetarëve. Institucionet përgjegjëse pritet të reagojnë dhe të verifikojnë rastin, pasi situata të tilla jo vetëm cenojnë besimin e konsumatorëve, por mund të përbëjnë edhe rrezik real për shëndetin publik.