Një vjedhje është raportuar në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 17:00, drejtoresha e shkollës, shtetasja me iniciale A. L., ka njoftuar Policinë pasi në ambientet e brendshme të institucionit janë konstatuar disa dëmtime.
Nga verifikimet e para rezulton se 5 dyer të ambienteve të shkollës janë dëmtuar, ndërsa dyshohet se autorët kanë marrë disa dokumente, një kompjuter dhe pajisjen DVR të kamerave të sigurisë, e cila shërben për ruajtjen e pamjeve filmike.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur plotësisht ngjarjen, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar të vjedhjes.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të kuptuar mënyrën se si është kryer grabitja dhe nëse në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë më shumë persona.