Irani arreston dhjetëra persona të dyshuar si informatorë të Izraelit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.03.2026, 19:52

Autoritetet iraniane kanë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për bashkëpunim me Izraelin dhe për shpërndarje të informacioneve të ndjeshme gjatë luftës që po zhvillohet mes dy vendeve. Lajmi është raportuar nga mediat lokale iraniane.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Tasnim, në veriperëndim të Iranit janë arrestuar rreth 20 persona, të cilët akuzohen se u kanë dërguar Izraelit informacione mbi vendndodhjen e objekteve ushtarake dhe të sigurisë së vendit.

Ndërkohë, në verilindje të Iranit, një zonë që deri tani është prekur më pak nga sulmet ajrore, autoritetet raportuan arrestimin e 10 personave të tjerë. Ata dyshohet se po mblidhnin të dhëna për lokacione të ndjeshme dhe infrastrukturë ekonomike.

Një degë provinciale e organizatës së inteligjencës së Gardës Revolucionare deklaroi, sipas mediave iraniane, se ndërsa “armiku sionist dhe SHBA po përpiqen të sulmojnë Iranin”, në të njëjtën kohë po aktivizohen edhe “mercenarë dhe spiunë” për të nxitur trazira brenda vendit.

Po ashtu, rrjeti Student News Network raportoi se tre persona janë ndaluar në provincën perëndimore Lorestan, të akuzuar për përpjekje për të nxitur opinionin publik dhe për të dëmtuar simbole përkujtimore.

Sipas një burimi të cituar nga Reuters, Izraeli ka filluar të godasë disa pika kontrolli dhe objektiva sigurie në Iran bazuar në informacione që, sipas pretendimeve, vijnë nga informatorë në terren. Kjo shihet si një fazë e re e operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Situata vjen në një moment tensionesh të larta në vend. Në janar, disa javë përpara nisjes së luftës aktuale mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, vendi u përfshi nga protesta të gjera kundër qeverisë, të cilat u shtypën nga autoritetet në atë që u cilësua si ndër ndërhyrjet më të ashpra në historinë e Republikës Islamike.

Autoritetet iraniane kanë akuzuar vazhdimisht Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se kanë nxitur këto protesta, duke i cilësuar ato si përpjekje për të destabilizuar dhe rrëzuar regjimin në Teheran.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit