“Ringjallet” Netanyahu: Numëron gishtat para kamerës dhe tallet me lajmet për vdekjen e tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.03.2026, 18:57

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shfaqur në një video të re në rrjetet sociale për të hedhur poshtë zërat që qarkulluan në internet se ai ishte vrarë gjatë sulmeve mes Izraelit dhe Iranit.

Në video, të publikuar në llogarinë e tij në platformën X, Netanyahu shihet në një kafene duke porositur kafe dhe duke bërë shaka me teoritë konspirative që u përhapën në rrjet.

“Unë 'vdes' pas kafesë”, thotë ai me humor, duke përdorur një shprehje hebraike që nënkupton se dikush e dëshiron shumë diçka. Më pas ai shton: “Po ‘vdes’ edhe për popullin tim. Sjellja e tyre është fantastike”.

Gjatë videos, Netanyahu ngre të dyja duart dhe i tregon kamerës gishtat, në një mënyrë që duket si përgjigje direkte ndaj spekulimeve që u përhapën pas videos së mëparshme.

Një ditë më parë, në rrjetet sociale u bë virale një video nga një deklaratë e tij, ku disa përdorues pretendonin se në një moment dora e kryeministrit dukej sikur kishte gjashtë gishta, duke ngritur dyshime se pamjet mund të ishin krijuar me inteligjencë artificiale. Kjo ndezi teori konspirative, madje disa përdorues pretenduan pa prova se Netanyahu mund të mos ishte më gjallë.

Në videon e re, ai duket se i ironizon këto pretendime duke thënë: “Doni t’i numëroni gishtat e mi? Ja ku janë… dhe këtu. Shihni? Shumë bukur.”

Netanyahu shfrytëzoi gjithashtu mesazhin për t’iu drejtuar qytetarëve izraelitë, duke i falënderuar për qëndrueshmërinë gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme dhe duke u kërkuar të ndjekin udhëzimet e sigurisë dhe të qëndrojnë pranë strehimeve të mbrojtura.

Deklarata e tij vjen ndërsa lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e 16-të. Konflikti u përshkallëzua pasi SHBA dhe Izraeli kryen sulme të përbashkëta ndaj objektivave iraniane muajin e kaluar, ndërsa Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në rajon.

Sipas raportimeve, mbi 2 mijë persona kanë humbur jetën deri tani, shumica në Iran, ndërsa Pentagoni thotë se forcat amerikane dhe izraelite kanë goditur më shumë se 15 mijë objektiva në territorin iranian që nga fillimi i konfliktit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit