Banorëve të Rripit të Gazës u është kërkuar të qëndrojnë në strehime të sigurta pasi një stuhi e fortë rëre përfshiu vendin të shtunën, duke mbuluar qiellin me pluhur dhe duke përkeqësuar kushtet e jetesës për mijëra të zhvendosur.
Autoritetet e Mbrojtjes Civile u bënë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme, veçanërisht personave që vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes, për shkak të niveleve të larta të pluhurit në ajër. Gjithashtu atyre u është rekomanduar përdorimi i maskave ose mbulimi i hundës me një copë të lagur gjatë daljes jashtë dhe rritja e konsumit të ujit.
Ekipet e emergjencës paralajmëruan gjithashtu të zhvendosurit të sigurojnë tendat dhe mbulesat plastike për të shmangur dëmtimet nga erërat e forta, sidomos në zonat bregdetare.
Stuhia vjen në një kohë kur qindra mijëra palestinezë në Gaza jetojnë në tenda ose ndërtesa të dëmtuara nga lufta, ndërsa kushtet e vështira të motit vazhdojnë të përkeqësojnë krizën humanitare në territor.
Megjithëse është arritur një marrëveshje armëpushimi, kriza humanitare në Gaza vazhdon, pasi ende nuk është lejuar hyrja e sasive të mjaftueshme të materialeve për strehim, si tenda, shtëpi të lëvizshme dhe materiale ndërtimi për rindërtimin e infrastrukturës dhe rrjeteve të ujit e kanalizimeve. Kjo situatë e bën edhe më të brishtë gjendjen humanitare sa herë që rajoni përballet me kushte të vështira atmosferike.