18 vite pas Masakrës së Gërdecit, drejtësia duket se ka mbetur në vendnumëro, ndërsa plagët e familjeve të viktimave nuk kanë njohur qetësi. Nga shpërthimi i 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona, ndërsa rreth 300 të tjerë u plagosën ose mbetën të pastrehë. Pavarësisht se emra si Ylli Pinari (18 vite burg), Dritan Minxholli (18 vite) dhe Mihal Delijorgji (10 vite) morën dënime, askush nga politikanët dhe zyrtarët më të lartë, përfshirë Shkëlzen Berishën dhe Fatmir Mediun, nuk janë dënuar për përgjegjësinë direkte në tragjedinë që tronditi vendin. Dënimet e tjera u lehtësuan në Apel, duke lënë familjet e viktimave të pakënaqura dhe me një ndjesi të thellë padrejtësie.
Hetimet e SPAK për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me procedurat e Ministrisë së Mbrojtjes për shitjen e municioneve ende nuk kanë prodhuar akuzë, ndërsa përgjegjësia politike dhe ajo institucionale mbetet e paqartë. Shkresa e ish-ministrit Aldo Bumçi “për Shkëlzen Berishën” dhe telefonatat e Fatmir Mediut me Shkëlzenin pas shpërthimit tregojnë për lidhje direkte që deri më sot nuk kanë sjellë ndëshkim. Ish-drejtori i fabrikës Dritan Minxolli, ish-ushtarakë dhe ish-sekretarja Anjola Agolli kanë shmangur dëshminë, duke e bërë të pamundur të zbardhet plotësisht rrjeti i përgjegjësisë.
18 vite më vonë, familjarët e viktimave presin ende drejtësi dhe qetësi shpirtërore. Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Fatmir Mediut në GJKKO vazhdon, me dhjetra dëshmitarë që ose refuzojnë të flasin ose nuk thirren ende. Me SPAK ende pa rezultat për korrupsionin e nivelit të lartë dhe emrat e Berishës e djalit të tij që dalin në shumë prova, duket se drejtësia në Gërdec është një udhëtim i gjatë dhe i paqartë, ndërsa plagët e të ndjerëve vazhdojnë të jenë të hapura.