Motoristët e Wolt po protestojnë prej gati një jave, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe rritje të pagesave. Ata shprehen se puna që kryejnë nuk pasqyrohet në pagat që marrin dhe se mungojnë garancitë bazë të punësimit, duke përfshirë kontrata të qarta dhe mbulimin e kostove operative. Protestat kanë përfshirë qëndrime “offline” në aplikacion, si formë presioni për të tërhequr vëmendjen e kompanisë ndaj kërkesave të tyre.
Sipas punonjësve, kompania ka reaguar duke i penalizuar dhe duke i nxjerrë jashtë funksionit në aplikacion, ndërsa janë zbuluar edhe mesazhe të menaxheres së deleguar që konsiderohen hakmarrëse. Në një komunikim me stafin, menaxherja paralajmëron se çdo pjesëmarrës në protesta mund të konsiderohet automatikisht i pushuar dhe thekson se forma e pagesës me përqindje dhe jo rrogë bazë ishte e qartë që në fillim, duke shtuar se kushdo që nuk pajtohet mund të largohet nga puna.
Mesazhi i menaxheres drejtuar motoristëve:
Mirëmbrëma çuna! Na erdhi një njoftim për një protestë prej jush, nuk e di sesa e vërtetë është dhe sesa prej zyrës time do të jenë tek ajo protestë, por po ju bëj disa gjëra të qarta me shkrim sepse gojarisht jua kam thënë dhe sërish.
1. Ju nuk jeni punonjës të Woltit, por të GMS (që është partnere e Woltit).
2. Rroga juaj është me % siç ju është fol që në momentin e parë që keni ardhur dhe keni folur me mua dhe jo me rrogë bazë, ose ju kemi gënjyer për ndonjë gjë lidhur me rrogën dhe e keni kuptuar rrugës kështu që do ju duhet të protestoni për ta fituar.
3. Dhe kryesorja, askush prej jush nuk mbahet në punë me zor ose i detyruar. Të gjithë pa përjashtim janë të lirë të lënë punën nëse tarifat ose kushtet e GMS që ka ofruar për ju nga bashkëpunimi që ka me Woltin. Kështu që kush prej zyrës time shkon në atë protestë të ketë të ditur që është i larguar nga puna automatikisht.
