Një qytetar i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një situatë që po përsëritet shpesh pranë kufirit me Malin e Zi ku dhjetëra automjete me targa shqiptare presin në radhë për t’u furnizuar me karburant.
Në video mund të shihni qartë makina të shumta të rreshtuara pranë një pike karburanti, duke pritur për të mbushur naftë. Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, kjo ndodh për shkak të diferencës së ndjeshme të çmimit të karburantit mes dy vendeve.
Sipas tij ndërsa në Shqipëri çmimi i naftës ka kaluar mbi 200 lekë të reja për litër, në Mal të Zi ajo shitet rreth 130–150 lekë për litër, një çmim i përballueshëm dhe aspak abuzues.
Vlen të thuhet se edhe pse shqiptarët prej kohësh ankohen për çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri, ato vijojnë të mbeten dukshëm më të larta krahasuar me vendet e rajonit. Ndërkohë shqetësues është fakti se pavarësisht këtyre abuzimeve deri më tani shteti nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për të frenuar këtë fenomen.