Shqipëria po përballet me një rënie të fortë të lindshmërisë, teksa në një dekadë, nga viti 2015 deri në 2025, numri i lindjeve ka rënë me rreth 35%. Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar në vend lindën 21,425 foshnja, rreth 8% më pak se një vit më parë, ndërsa shifrat po afrohen me pragun psikologjik të 20 mijë lindjeve në vit. Sipas ekspertëve, rënia është thelluar sidomos pas pandemisë, me një ulje prej rreth 26% gjatë periudhës 2021–2025.
Demografët theksojnë se tkurrja nuk lidhet vetëm me dëshirën për më pak fëmijë, por edhe me rënien e numrit të të rinjve në moshë riprodhimi. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti 2015 deri në 2025 numri i grave në moshën 20–34 vjeç është ulur me rreth 32%. Ndërkohë, numri i vajzave 20–24 vjeç ka rënë nga mbi 124 mijë në rreth 72 mijë, një tkurrje prej rreth 42%, çka po redukton ndjeshëm potencialin e lindjeve në vitet e ardhshme.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse trendi aktual vazhdon, deri në vitin 2035 lindjet mund të zbresin në rreth 13 mijë në vit dhe madje në rreth 10 mijë deri në vitin 2040. Emigracioni i të rinjve, rritja e kostove të jetesës dhe shtyrja e moshës së prindërimit po ndikojnë drejtpërdrejt në këtë fenomen, duke krijuar një cikël ku rënia e popullsisë ushqen vetveten dhe e bën gjithnjë e më të vështirë rikthimin e ekuilibrave demografikë në vend.