“Dhuna nuk fillon me goditje, por me fjalë që të poshtërojnë e të thyejnë shpirtin”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.03.2026, 01:32

Një video e dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një vajzë e re është bërë një mesazh i fortë reflektimi, pas tragjedisë së fundit që tronditi opinionin publik me vetëvrasjen e 25-vjeçares nga Lezha, Xhuana Nikolli.

Në një monolog të ndjerë, vajza flet për mënyrën se si martesa, që dikur shihej si një strehë dhe fillimi i një jete të re, sot po shoqërohet gjithnjë e më shpesh me histori frike, dhune dhe heshtjeje.

Ajo kujton se për shumë vajza martesa dikur përfaqësonte një vend ku dy njerëz premtonin të mbronin njëri-tjetrin nga dhimbjet e botës. Një vend ku zemra mund të pushonte e qetë, sepse pranë kishte respekt dhe dashuri. Por, sipas saj, sot dëgjohen gjithnjë e më shpesh histori që “të ngrijnë gjakun”, ku njerëzit që duhet të ishin mbrojtja e njëri-tjetrit kthehen në burimin e dhimbjes.

Në fjalët e saj, ajo ndalet te një realitet që shpesh mbetet i padukshëm: dhuna nuk fillon gjithmonë me goditje, por me fjalë që të thyejnë shpirtin, me kontroll, me frikë dhe me heshtje që grumbullohet dita-ditës. Dhe ndonjëherë, sipas saj, tragjedia nuk ndodh në një moment të vetëm, por ndërtohet ngadalë deri sa dikush nuk sheh më asnjë rrugëdalje.

Mesazhi i saj nuk është një akuzë ndaj askujt, por një thirrje për ndërgjegjësim: dashuria nuk duhet të kthehet kurrë në frikë apo në burg për shpirtin e dikujt.

Ajo e mbyll monologun me një mendim të thjeshtë, por të fortë: martesa nuk duhet të jetë vendi ku një njeri humbet veten, ëndrrat apo jetën, por vendi ku një zemër ndihet më e sigurt se kudo tjetër në botë.

Fjalët e saj marrin edhe më shumë peshë në një moment kur opinioni publik është ende i tronditur nga tragjedia e Xhuana Nikollit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit