Protesta e korrierëve që punojnë për platformën e shpërndarjes së ushqimit Wolt po vazhdon prej tetë ditësh radhazi, ndërsa motoristët thonë se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të merren parasysh.
Në videot e dërguara së fundmi në redaksinë e JOQ Albania, dhjetëra korrierë shihen teksa marshojnë me motorët e tyre në rrugët e Tirana, duke rënë borive në shenjë proteste. Një prej motoristëve u shpreh për redaksinë tonë se lëvizja do të vazhdojë pa ndërprerje deri sa të ketë ndryshime konkrete për kushtet e punës.
“Është dita e 8 e protestës dhe ende nuk ka asnjë ndryshim. Ne nuk do ta ndalim protestën derisa të krijohet një zgjidhje për të gjithë,” tha ai.
Protesta e korrierëve nisi fillimisht disa ditë më parë në Tiranë, ku ata marshuan me motorët e tyre duke denoncuar, sipas tyre, uljen e tarifave për kilometër, si dhe presionet që pretendojnë se kanë përjetuar nga menaxherët lokalë të kompanisë.
Sipas mesazheve të mbërritura në redaksi, disa prej tyre pretendojnë se punonjës të caktuar janë larguar nga puna ose janë paralajmëruar të mos marrin pjesë në protestë, ndërsa të tjerë shprehen të shqetësuar për uljen e të ardhurave.
Pak ditë më parë protesta u shtri edhe në Durrës, ku dhjetëra motoristë marshuan në rrugët e qytetit bregdetar duke ngritur të njëjtat shqetësime për pagesat dhe kushtet e punës.
Në qendër të kërkesave të tyre mbetet rritja e pagesës për çdo kilometër të përshkuar gjatë shpërndarjes së porosive, si dhe kompensime shtesë në raste të veçanta, si dërgimi i porosive në katet e pallateve apo kur klientët zgjedhin opsionin e dërgesës së shpejtë.
Korrierët kanë ngritur gjithashtu shqetësime edhe për pajisjet e punës dhe mënyrën e funksionimit të aplikacionit, ndërsa disa prej tyre pretendojnë se muajt e fundit janë punësuar edhe shtetas të huaj me kosto më të ulët.
Pavarësisht kalimit të ditëve, motoristët thonë se protesta do të vijojë deri në momentin kur kërkesat e tyre të marrin një përgjigje konkrete.