Aeroporti Ndërkombëtar i Kuvajtit është goditur nga disa dronë mbrëmjen e së shtunës, në një sulm që autoritetet vendase e lidhin me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kuvajtit, dronët kanë goditur sistemin e radarëve të aeroportit, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën e navigimit ajror. Fatmirësisht, nga sulmi nuk raportohet për persona të lënduar.
Autoritetet bënë të ditur se incidenti ndodhi në një moment kur Irani ka nisur sulme me dronë ndaj disa shteteve të Gjirit, në përgjigje të goditjeve të mëparshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Ndërkohë, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit vijojnë të jenë të ndërprera që prej fillimit të përshkallëzimit të konfliktit në rajon, për arsye sigurie.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e fundit kanë rritur frikën për një përhapje më të gjerë të konfliktit në rajon.