Koreja e Veriut lëshon raketa balistike drejt Detit të Japonisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.03.2026, 19:54

Koreja e Veriut ka lëshuar rreth 10 raketa balistike drejt Detit të Japonisë, në një tjetër demonstrim force që rrit tensionet në rajon. Lajmi u konfirmua nga ushtria e Koresë së Jugut, vetëm pak ditë pasi Pheniani paralajmëroi për “pasoja të tmerrshme” si reagim ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Seulit dhe SHBA-së.

Sipas Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut, raketat u lëshuan rreth orës 13:20 sipas kohës lokale nga zona e Sunanit dhe fluturuan drejt Detit Lindor. Sipas të dhënave paraprake, mjetet fluturuese përshkuan një distancë prej rreth 350 kilometrash, ndërsa autoritetet ushtarake të Seulit dhe Uashingtonit po analizojnë specifikat e tyre teknike.

Ushtria e Koresë së Jugut deklaroi se mbetet në gatishmëri të plotë dhe e përgatitur për t'u përgjigjur me forcë ndaj çdo akti nxitës. Edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë konfirmoi lëshimin, duke specifikuar se raketat arritën një lartësi maksimale prej 80 kilometrash dhe ranë jashtë zonës ekskluzive ekonomike japoneze.

Ndërkohë, Presidenca e Koresë së Jugut e dënoi testin si një shkelje të qartë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i bërë thirrje Phenianit të ndalojë menjëherë veprimet destabilizuese. Ky tension vjen në një moment kritik, teksa Pheniani i ka cilësuar iniciativat e fundit diplomatike si një “farsë mashtruese”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit