Studimi më i fundit i publikuar nga SIPRI tregon se Gjermania ka kaluar Kinën, duke u renditur si eksportuesja e katërt më e madhe e armëve në botë.
Sipas raportit, në periudhën 2021–2025 Berlini përbënte rreth 5.7% të shpërndarjes globale të armëve, duke lënë pas Kinën me 5.6%. Në krye të renditjes qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 42% të eksporteve globale të armëve, të ndjekura nga Franca me 9.8% dhe Rusia me 6.8%.
Ekspertët e lidhin rritjen e eksporteve gjermane me përpjekjet e shteteve europiane për të forcuar prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes, veçanërisht pas pushtimi rus në Ukrainë në vitin 2022. Raporti thekson gjithashtu një zhvillim tjetër të rëndësishëm: Ukraina u bë importuesja më e madhe e armëve në botë gjatë kësaj periudhe, duke përbërë rreth 9.7% të importeve globale, çka reflekton ndikimin e drejtpërdrejtë të konfliktit në tregun ndërkombëtar të armatimeve.
Ndër blerësit kryesorë të pajisjeve ushtarake gjermane janë pikërisht Ukraina, Egjipti dhe Izraeli. Këto marrëveshje kanë ndikuar në një rritje prej rreth 15% të eksporteve gjermane krahasuar me periudhën 2016–2020. Sipas SIPRI, rreth 24% e eksporteve të Gjermanisë janë dërguar drejt Ukrainës në formën e ndihmës ushtarake.
Industria ushtarake gjermane ofron një gamë të gjerë pajisjesh, përfshirë automjete të blinduara, municione artilerie dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Mes produkteve më të njohura janë tanku Leopard 2, mjeti luftarak KF41 Lynx, transportuesi i blinduar Boxer dhe sistemi i mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM, të cilat përdoren gjerësisht nga ushtritë europiane për të rritur kapacitetet mbrojtëse të kontinentit.