Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, ka dëshmuar në gjykatë lidhur me incidentin për të cilin po hetohet në Prishtinë.
Gjatë seancës gjyqësore, artisti u shpreh se ngjarja ndodhi në një moment të vështirë emocional dhe kërkoi ndjesë për situatën e krijuar. Ai tha para trupit gjykues se ndodhej në një gjendje ankthi kur ndodhi incidenti. “Dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth dhe kam vepruar në gjendje ankthi. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar”, deklaroi ai gjatë dëshmisë.
Ndërkohë, avokati mbrojtës kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë ë Kosovës për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se reagimi i këngëtarit ka qenë impulsiv dhe se në raste të tilla zakonisht nuk ekziston rrezik për përsëritjen e një veprimi të ngjashëm.
Pavarësisht këtyre argumenteve, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi t’i caktojë artistit masën e paraburgimit prej një muaji.
Gjesti u arrestua më 11 mars 2026 në Prishtinë, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë së Kosovës, ndalimi i tij u bë rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku ai u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ai u vendos në ndalim policor për 48 orë.
Një ditë më vonë, më 12 mars 2026, mediat raportuan rrethanat që çuan në arrestimin e tij. Sipas burimeve, këngëtari kishte shkuar në zyrat e një kompanie muzikore, ku dyshohet se pati një përplasje verbale me drejtuesin e saj, Erkand Shabani.