Fshehën plagosjen e 3 minatorëve, denoncohen “Albmine & Chrome”,“Rafa Group” e “Çupi Group”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.03.2026, 11:00

Pas ngjarjes së djeshme në minierën e bakrit në Spaç, ku një minator u plagos dhe incidenti u tentua të mbahej i fshehur nga kompania turke “Tete Albania” dhe autoritetet, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë rikthehet për të denoncuar mungesën e transparencës mbi aksidentet në minierat e vendit. Sipas raporteve të inspektorëve, gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar tre aksidente në minierat e Bulqizës, të cilat nuk u bënë publike, duke rritur shqetësimin për kushtet e punës dhe sigurinë e punonjësve.

Ngjarjet përfshijnë minatorin 38-vjeçar Ardian Manuka nga kompania RAFA GROUP, i cili u godit në këmbën e majtë nga një copë mineral gjatë kontrollit të frontit të punës më 6 shkurt, si dhe punonjësin 45-vjeçar Dritan Kadi nga Çupi Group, i plagosur nga një gur i grumbulluar gjatë pastrimit dhe ngarkimit të materialit më 21 shkurt. Në të njëjtën ditë, punëtori 47-vjeçar Aqif Peti nga Albmine & Chrome u godit nga një kapel druri gjatë ndërtimit të armaturës në Galerinë 15. Inspektorët e minierave konstatuan se aksidentet lidhen me lëvizjen e materialeve, mungesën e kujdesit nga punonjësit dhe nevojën për përforcim të armatimeve dhe vendosje të parmakëve mbrojtës.

Duke u bazuar në këto raporte, Konfederata e Sindikatave akuzon kompanitë se punonjësit kryejnë detyra jashtë kapaciteteve të tyre profesionale dhe fizike, ndërsa në miniera mungon personeli i kualifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë. Sipas sindikatës, nuk funksionojnë këshillat e sigurisë, nuk kryhet vlerësimi ligjor i rrezikut dhe nuk ndërmerren masat e nevojshme për të parandaluar aksidentet, duke e bërë punën në miniera të rrezikshme për jetën e punonjësve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit