Shqiptarët jetojnë më pak se vendet e BE-së, por më shumë se rajoni

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.03.2026, 10:02

Në vitin 2024, jetëgjatësia mesatare në lindje në Bashkimin Evropian arriti në 81.5 vjet, duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.1 viti krahasuar me vitin 2023. Pas rënies gjatë viteve të pandemisë COVID-19 në 2020 dhe 2021, treguesi është rikuperuar dhe ka kaluar nivelet e vitit 2019. Për Shqipërinë, të dhënat e vitit 2024 tregojnë një jetëgjatësi mesatare rreth 80 vjeç, me gratë që pritet të jetojnë 82.5 vjet dhe burrat 78.6 vjet, duke e vendosur vendin pak më poshtë mesatares së BE-së, por mbi disa vende të rajonit si Mali i Zi dhe Serbia.

Ndër rajonet e Shqipërisë, Veriu shfaq jetëgjatësi më të ulët (79.2 vjet) krahasuar me Qendrën (80.7 vjet) dhe Jugun (80.77 vjet), ndërsa mungesa e aksesit të mjaftueshëm në shërbime shëndetësore konsiderohet një faktor kryesor për këtë diferencë. Jetëgjatësia për gratë mbetet gjithmonë më e lartë se për burrat, një tendencë që shfaqet edhe në të gjithë BE-në, ku gratë jetojnë mesatarisht 5.2 vjet më shumë se burrat. Në Shqipëri, hendeku gjinor është më i vogël se mesatarja e BE-së, rreth 3.9 vjet.

Në Evropë, jetëgjatësia më e lartë shfaqet kryesisht në vendet e Perëndimit dhe Veriut, me Zvicrën në krye (84.3 vjet), ndjekur nga Liechtenstein dhe Spanja, ndërsa jetëgjatësia më e ulët regjistrohet kryesisht në vendet e Lindjes dhe Juglindjes, përfshirë Bullgarinë, Serbinë dhe Letoninë. Edhe brenda vendeve të BE-së ka diferenca rajonale të theksuara: rajone si Comunidad de Madrid dhe provincat italiane Trento dhe Bolzano arrijnë mbi 85 vjet, ndërsa disa rajone në Bullgari dhe Hungari kanë jetëgjatësi nën 76 vjet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit