“Do fillonte punë”, e afërmja e Xhuanës prek me fjalët në homazhe

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.03.2026, 09:32

Qindra qytetarë, të afërm dhe përfaqësues institucionesh u mblodhën mbrëmë në qendër të qytetit të Lezhës për të nderuar kujtimin e Xhuana Nikollajt, 25-vjeçares që humbi jetën pas përdorimit të fostoksinës. Homazhet u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe me dhimbje, ndërsa qytetarët vendosën qirinj dhe lule për të përkujtuar jetën e shkurtër të vajzës.

Sipas familjarëve, Xhuana kishte kaluar një periudhë të vështirë pas dhunës së dyshuar nga ish-bashkëshorti, me të cilin ishte divorcuar tre muaj më parë. Vitore Skandaj, e afërmja e saj, theksoi se pas vështirësive, 25-vjeçarja ishte marrë me kujdes dhe mirëkuptim nga familja e saj dhe kishte nisur një jetë të re në Tiranë.

Familjarja u shpreh se Xhuana ishte duke u përgatitur për të filluar një punë të re në Tiranë, vetëm një ditë pas ngjarjes tragjike. Homazhet në Lezhë shërbyen si një moment reflektimi dhe solidariteti, duke nënvizuar nevojën për mbështetje dhe ndërgjegjësim ndaj çështjeve të dhunës në familje.

Në lidhje me këtë rast, në kërkim nga policia është shpallur ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi, i dyshuar për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”. Sipas informacioneve paraprake të hetimit, ai ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se ka shkuar në banesën e ish-partneres në Tiranë, ku mund të ketë pasur një përplasje mes tyre.

Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, 25-vjeçarja dyshohet se ka konsumuar fotoksinë. Burime nga hetimi bëjnë me dije se në trupin e saj janë konstatuar edhe shenja dhune, ndërsa në banesë është gjetur një letër që e reja u kishte lënë familjarëve.

Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025 në Lezhë, por martesa kishte zgjatur vetëm disa muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë për të jetuar me motrat e saj. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit