Ku dhe si po e festoni Ditën e Verës? 🌸🥚☀
Shqipëria feston sot Ditën e Verës, një nga festat më të lashta dhe më të dashura për shqiptarët, që simbolizon ardhjen e pranverës dhe rigjallërimin e natyrës. Kjo festë ka rrënjë të thella në traditën pagane shqiptare dhe sipas kalendarit të vjetër shënonte fillimin e vitit të ri. Ndërsa në kalendarin Julian festohej më 1 mars, sot kremtohet më 14 mars sipas kalendarit Gregorian. Në qytete të ndryshme të vendit organizohen aktivitete festive, koncerte dhe panaire që mbledhin mijëra qytetarë në sheshe për të shijuar atmosferën pranverore që sjell festa.
Qendra historike e kësaj feste mbetet Elbasani, ku traditat ruhen me fanatizëm prej shekujsh. Familjet përgatisin gatime tradicionale si byreku me hithra dhe barishte pranverore, ndërsa ëmbëlsira simbol e festës është ballokume, një recetë e trashëguar brez pas brezi. Një ritual i veçantë është vendosja e “verores”, një byzylyk me fije të kuqe dhe të bardha që simbolizon fatin dhe shëndetin, i cili mbahet në dorë deri sa të shfaqet dallëndyshja e parë e pranverës dhe më pas lidhet në pemë. Nuk mungojnë as vezët e pikturuara ose pakoja e Ditës së Verës.
Sipas legjendës, festa lidhet me hyjninë ilire Zana, mbrojtëse e pyjeve, gjuetisë dhe natyrës, e cila besohej se shfaqej në këtë ditë për të sjellë begati dhe mbarësi. Në vigjilje të festës shtëpitë zbukurohen me lule dhe lastarë të gjelbër, ndërsa në mëngjes dyert hapen herët për të mirëpritur fatin dhe energjinë pozitive të stinës së re.