Në Kroaci ka hyrë sot në fuqi një vendim i ri që ndalon përdorimin e telefonave celularë në shkollat fillore dhe të mesme. Masa synon të reduktojë shpërqendrimin gjatë mësimit dhe të përmirësojë përqendrimin e nxënësve në procesin mësimor.
Sipas të dhënave të publikuara, shumica e nxënësve e përdorin teknologjinë kryesisht për argëtim, ndërsa shumë pak për detyra apo aktivitete që lidhen me shkollën.
Nga ana tjetër, rezulton se rreth 70% e nxënësve nuk kanë mbikëqyrje nga prindërit apo kujdestarët gjatë përdorimit të teknologjive digjitale, çka sipas ekspertëve rrit rrezikun e përdorimit të tepërt apo të papërshtatshëm të tyre.
Këto përfundime dalin nga një anketë e realizuar nga CARNET në bashkëpunim me universitetet në vend, ku morën pjesë rreth 4 mijë nxënës dhe studentë.
Autoritetet arsimore në Kroaci shpresojnë që ky vendim të ndikojë pozitivisht në disiplinën në klasa dhe në përmirësimin e rezultateve në mësime.
Në shumë vende të Evropës po diskutohen masa të ngjashme për kufizimin e përdorimit të telefonave në shkolla, për shkak të ndikimit që ato mund të kenë tek përqendrimi dhe zhvillimi i nxënësve.