Detaje të reja që po dalin në dritë në lidhje me arrestimin e reperit Gjesti po e bëjnë ngjarjen edhe më të rëndë nga sa u raportua fillimisht.
Sipas raportimeve të fundit në media, situata e ndodhur një ditë më parë në zyrat e kompanisë ka qenë shumë më dramatike. Burimet bëjnë me dije se reperi ka hyrë në ambientet e kompanisë i armatosur dhe në gjendje të rënduar emocionale.
Dyshohet se ai iu drejtua stafit të pranishëm me tone të ashpra dhe kërcënuese, duke kërkuar drejtorin e kompanisë, Erkand Shabani, ndërsa thuhet se ka bërë deklarata kërcënuese ndaj tij.
Sipas të njëjtave burime, pasi nuk e ka gjetur drejtorin në ambientet e kompanisë, reperi ka shpërthyer në zemërim duke shkaktuar dëme materiale në zyrë. Raportohet se ai ka përmbysur tavolina, ka dëmtuar kompjuterë pune dhe ka thyer xhama brenda ambienteve të kompanisë.
Situata është neutralizuar vetëm pas ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Kosovës. Kur efektivët kanë mbërritur në vendngjarje, reperi është gjetur ende me armë në dorë. Arma, e cila dyshohet se ishte pa leje, është sekuestruar menjëherë dhe ai është vënë në pranga.
Burimet bëjnë të ditur se përplasjet mes reperit dhe drejtuesit të kompanisë kanë ekzistuar prej kohësh, megjithatë ato nuk kishin dalë publikisht dhe nuk kishin arritur kurrë në një përshkallëzim të tillë.