Nga fushat plot tufa te stanet e mbyllura, blegtoria në Myzeqe drejt zhdukjes

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.03.2026, 13:11

Fshatrat e Myzeqesë nuk po zbrazen vetëm nga emigracioni dhe lëvizjet demografike të banorëve, por edhe nga rënia e ndjeshme e blegtorisë. Një aktivitet që dikur ishte ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së zonës, sot po shkon drejt tkurrjes.

Vite më parë, në stinën e pranverës, fushat e Myzeqesë gjallëroheshin nga tufat e bagëtive, sidomos delet, që zbrisnin nga malësia dhe veriu për të dimëruar në këto toka pjellore. Sot kjo pamje pothuajse është zhdukur. Tufat janë pakësuar ndjeshëm, ndërsa shumë stane dhe stalla që dikur funksiononin në këtë zonë janë mbyllur.

Blegtorët dhe banorët e zonës thonë se një nga arsyet kryesore është çmimi shumë i ulët i qumështit. Aktualisht, një litër qumësht deleje grumbullohet rreth 120 lekë, ndërsa qumështi i lopës merret nga grumbulluesit me rreth 55 lekë për litër. Për shkak të këtyre çmimeve të ulëta, disa blegtorë janë detyruar ta shesin qumështin vetë, me shishe plastike në kryqëzime rrugësh apo në qytet. Fitimi i ulët ka bërë që shumë fermerë të mbyllin stanet ose të ulin ndjeshëm numrin e krerëve të bagëtive.

Një tjetër shqetësim për blegtorët mbetet edhe vonesa në dhënien e subvencioneve, ndërkohë që çmimet e ushqimit për bagëtitë janë rritur ndjeshëm. Sipas tyre, në këto kushte, blegtoria nuk është më një aktivitet ekonomikisht i leverdishëm.

Në të njëjtën kohë, edhe mungesa e interesit nga të rinjtë po ndikon në rënien e këtij sektori. Shumë prej tyre zgjedhin të largohen në emigracion në kërkim të mundësive më të mira për jetesë.

Sipas banorëve dhe blegtorëve të mbetur në zonë, të gjithë këta faktorë po çojnë gradualisht në zhdukjen e blegtorisë në Myzeqe, një traditë dhe aktivitet ekonomik që për dekada me radhë ka qenë pjesë thelbësore e jetës dhe zhvillimit të kësaj zone.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit