Një raketë balistike e lëshuar nga Irani, e cila depërtoi në hapësirën ajrore të Turqisë, është neutralizuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore dhe raketore i NATO-s i vendosur në Mesdheun Lindor.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes e Ankarasë përmes një njoftimi zyrtar, ku theksohet se autoritetet turke reagojnë pa hezitim ndaj çdo kërcënimi që cenon territorin dhe hapësirën ajrore të vendit.
“Në mënyrë të vendosur dhe pa hezitim marrim të gjitha masat e nevojshme kundër çdo kërcënimi të drejtpërdrejtë ndaj territorit dhe hapësirës ajrore të vendit tonë. Po zhvillohen gjithashtu konsultime me vendin përkatës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij incidenti”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Në të njëjtën kohë, autoritetet turke theksojnë se situata në rajon po monitorohet me vëmendje të shtuar dhe çdo zhvillim po vlerësohet me prioritet maksimal për sigurinë kombëtare.
Incidenti vjen vetëm pak ditë pasi dy raketa të tjera u kapën nga sistemi i mbrojtjes së NATO-s në hapësirën ajrore turke, ndërsa reagimi i presidentit turk ishte i ashpër, duke paralajmëruar për pasoja ndaj çdo kërcënimi që cenon sigurinë e vendit.