Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore është zbuluar në Tiranë, ku inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë bllokuar një sasi të madhe mishi pule pranë një biznesi.
Raportohet se AKU ka sekuestruar 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule në ambientet e biznesit KMY, pasi gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje serioze të kushteve higjieno-sanitare.
Nga verifikimet e kryera rezulton se mishi i pulës, gjatë procesit të ngrirjes dhe shkrirjes, ishte vendosur direkt në tokë. Gjithashtu, magazinimi i produktit ishte bërë pranë një ambienti ku evidentohej prani myku dhe ndryshku, duke ngritur shqetësime serioze për standardet e ruajtjes.
Sipas autoriteteve, nëse kjo sasi nuk do të ishte bllokuar, produkti do të kishte përfunduar në treg dhe potencialisht në tryezat e konsumatorëve si mish i konsideruar i sigurt.
Pas konstatimit të shkeljeve, AKU Tiranë ka vendosur bllokimin e aktivitetit të biznesit deri në përmbushjen e plotë të kushteve higjieno-sanitare të kërkuara nga ligji.
Ndërkohë, është bërë e ditur se sasia prej 738 kilogramësh fileto dhe gjoks pule e bllokuar do të asgjësohet.