Seanca e kësaj të enjteje për rrëzimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka lënë pas një shije të rëndë prapaskenash. Ndonëse suksesi formal u arrit me 83 vota (falë edhe mbështetjes së deputetëve të Tom Doshit), prapavija e këtij rezultati fsheh një histori kërcënimesh brutale dhe shantazhi brenda "vathës" socialiste.
Kryeministri Edi Rama, i vetëdijshëm se mbrojtja e Ballukut tejkalonte kufijtë moralë të shumë deputetëve dhe nën presionin e diplomatëve të huaj, mblodhi dy herë brenda javës Kryesinë e PS-së për t'u siguruar që askush të mos guxonte të dilte nga rreshti.
Mbledhja e së mërkurës është përshkruar si një nga më tensionuarat në historinë e kësaj partie. Refreni i Ramës ishte i qartë: kushdo që imagjinonte votën pro SPAK-ut ose mungesën në sallë, do të përballej me hakmarrjen e tij personale.
Sipas burimeve të cituara nga Lapsi.al, Rama i është drejtuar Elisa Spiropalit me një gjuhë vulgare kur kjo e fundit ka marrë fjalën. "Mbylle gojën se ty unë të kam bërë ministre! Se kë vë dhe heq e di vetëm unë dhe s'i jap kërkujt llogari", mësohet t'i ketë thënë ai, pas dyshimeve se ajo fliste nëpër ambasada kundër korrupsionit në infrastrukturë.
Në "shënjestër" u vu edhe Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi. "Ti je kot, nuk je fare Sekretar i Përgjithshëm", dyshohet se i ka bërtitur Rama në fytyrë, duke e akuzuar për paaftësi në mbajtjen e partisë nën kontroll absolut, sipas të njëjtit burim.
Sipas burimeve për Lapsi.al, kjo ka qenë një nga mbledhjet më haluçinante. "Në gjendje të tillë Ramën s’e kisha parë që prej kohës kur Luli i vodhi ato dhjetë votat për bashkinë. Ishte i shqetësuar, bërtiste pa shkak dhe dukej hapur që nuk i kontrollonte dot emocionet", rrëfeu një dëshmitar anonim brenda mbledhjes.
Taktika e kreut të socialistëve ishte ajo e zhvlerësimit total të njerëzve që kishte rreth tryezës. Për t'i detyruar të ngrinin kartonët e kuq kundër SPAK-ut, ai u ka kujtuar se pa të, ata janë "askushi".
"Ju jeni askushi dhe këtu ku jeni, jeni prej meje... Unë ju mbaj në pushtet prej katër mandatesh. Po të iki unë, PS shkon për lesh", kanë qenë disa nga frazat që kanë lënë të çmeritur anëtarët e Kryesisë. Por fjalia që "ngriu" sallën ishte kërcënimi i hapur: "Kush më del kundër do e sakatoj".
Pavarësisht dorës së hekurt, Rama nuk arriti t'i kishte të gjithë në sallë. Disa emra peshe zgjodhën rrugën e distancimit:
Fatmir Xhafa: Konsideroi të pakapërcyeshme votën kundër SPAK-ut.
Blendi Gonxhe: Formalisht jashtë shtetit, por i njohur për fërkimet me Ballukun në Dibër.
Elisa Spiropali: E cila, pavarësisht kërcënimeve, nuk ishte prezente.
Në fund, Rama mori 83 votat që i duheshin, por çmimi ishte nëpërkëmbja e dinjitetit të deputetëve të tij. Për vëzhguesit, ky zell i tepruar nuk ishte thjesht për votimin, por një mesazh i koduar për faktorin ndërkombëtar: Edi Rama mbetet hegjemoni absolut mbi Partinë Socialiste, gati për të "sakatuar" këdo që i del rrugës.