Gjykata Kushtetuese ka vendosur këtë të enjte të kalojë për shqyrtim në seancë gjyqësore publike padinë kundër ligjit të ri "Për barazinë gjinore". Kërkesa, e depozituar nga koalicioni "Pro Familjes dhe Jetës" dhe Diaspora Shqiptare, kërkon shfuqizimin e plotë të këtij akti ligjor që ka ndezur debate të ashpra që prej miratimit të tij në Kuvend më 6 nëntor 2025.
Padia voluminoze prej afro 200 faqesh synon të rrëzojë ligjin që, sipas kërkuesve, cenon themelet e familjes tradicionale dhe shoqërisë shqiptare.
Një nga zërat më të fortë të kësaj lëvizjeje, Akil Pano, e ka cilësuar ligjin si një import të huaj që bie ndesh me kulturën vendase. "Ky ligj është anti-njeri, anti-familje dhe anti-zot. Është marksizëm kulturor që na kthen mbrapsht në kohët e censurës. Kjo është një nga betejat tona më të mëdha dhe nuk do të tërhiqemi deri në fund për të mbrojtur fëmijët dhe lirinë tonë," deklaroi Pano.
Pjesë e këtij fronti kundërshtues është edhe Opozita, e cila gjatë diskutimeve në Kuvend e akuzoi mazhorancën për eksperimente sociale që godasin realitetin biologjik.
Molla e sherrit që ka ndarë palët në dy kampe të papajtueshme është Neni 4, pika "ë" e ligjit. Ai përkufizon gjininë si:
"Rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për burrat dhe gratë."
Pikërisht ky përkufizim ka krijuar frikën se ligji po lë mënjanë seksin biologjik (të lindur) për t'i hapur rrugë interpretimit të gjinisë si një sjellje shoqërore. Kundërshtarët pretendojnë se kjo hap "Kutinë e Pandorës" për njohjen e dhjetëra gjinive të reja në të ardhmen.
Nga ana tjetër, Qeveria dhe hartuesit e ligjit insistojnë se koncepti mbetet binar (burrë dhe grua) dhe se ligji synon thjesht të garantojë standarde evropiane në mbrojtjen nga diskriminimi në fushën politike, ekonomike dhe sociale.
Një tjetër term që do të analizohet nga gjyqtarët kushtetues është ai i "Përkatësisë së shumëfishtë gjinore".
Tashmë, fati i këtij ligji që synon "modernizimin" e shoqërisë sipas njërës palë, dhe "shkatërrimin" e saj sipas tjetrës, mbetet në dorën e Gjykatës Kushtetuese. Seanca publike do të jetë momenti ku argumentet ligjore do të përballen me vlerat morale dhe interpretimet sociologjike të palëve.