Shqipëria po përballet me një krizë mjedisore që po prek drejtpërdrejt cilësinë e jetës në qendrat kryesore urbane. Raporti më i fundit i monitorimit alternativ për vitin 2025, ka nxjerrë në dritë shifra tronditëse për ajrin, zhurmat dhe cilësinë e ujit në Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Fier. Sipas ekspertëve, ndërtimet e pafundme, trafiku i rënduar dhe zhdukja e vegjetacionit janë "fajtorët" kryesorë që i kanë kthyer qytetet tona në zona me rrezikshmëri të lartë për shëndetin.
Në kryeqytet, situata paraqitet kritike sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), ku rreth 67% e pikave të monitoruara tejkalojnë normat e lejuara deri në 4 herë. Zonat më "të nxehta" ku ajri është thuajse i papranueshëm përfshijnë Rrugën e Elbasanit, Ali Demin, zonën e Kristal Center dhe Materniteti i Ri. Ende më shqetësues është niveli i dioksidit të karbonit (CO₂), i cili rezulton mbi normë në 98.3% të pikave të matura, si pasojë e sistemeve urbane të ngarkuara dhe mungesës së hapësirave të gjelbra që shërbejnë si mushkëri për qytetin.
As qytetet e tjera nuk mbeten pas. Në Elbasan, 91% e pikave tejkalojnë standardet për NO₂, ndërsa në Fier pluhuri i imët (PM2.5) mbetet një sfidë e hapur, duke prekur 73% të zonave të monitoruara. Durrësi gjithashtu vuan nga nivele të larta të pluhurit, veçanërisht në zonën e Vollgës dhe pranë portit, ndërsa në Korçë dhe Shkodër grimcat e imëta në ajër janë mbi standarde në më shumë se gjysmën e rasteve të analizuara.
Përtej ajrit, shqiptarët po bashkëjetojnë me një "vrasës të heshtur": ndotjen akustike. Në Tiranë dhe Shkodër, rreth 88-89% e qytetit kalon kufirin prej 55 decibelësh gjatë ditës për shkak të trafikut. Por skandali i vërtetë vjen nga Durrësi, ku gjatë natës, 92% e pikave të monitorimit tejkalojnë normat e zhurmës, duke dëmtuar rëndë cilësinë e gjumit dhe shëndetin mendor të banorëve.
Raporti i 2025-ës ka dhënë alarmin edhe për pasuritë ujore. Liqeni i Bovillës (burimi kryesor i ujit të pijshëm për Tiranën), ai i Farkës dhe Liqeni Artificial rezultojnë me ndotje të lartë organike. Situata rëndohet në kanalet kulluese të Fier-Divjakës dhe Lumin e Tiranës, ku janë gjetur prani të metaleve të rënda dhe shkarkimeve urbane.