Në një deklaratë të fortë që ka ndezur debate të shumta, gazetari i njohur amerikan Tucker Carlson ka analizuar mundësitë e një konflikti të hapur mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas Carlson, strategjia aktuale e sulmeve ajrore është e pamjaftueshme për të rrëzuar regjimin në Teheran dhe se "neokonservatorët" në Uashington e dinë mirë këtë.
Carlson argumenton se për të arritur një ndryshim real regjimi, Amerika do të duhej të dërgonte trupa tokësore, një lëvizje që aktualisht nuk gëzon mbështetjen e publikut amerikan apo të administratës. Megjithatë, ai lëshon një paralajmërim drithërues: e vetmja mënyrë që populli amerikan të bindet për një pushtim tokësor, do të ishte një ngjarje katastrofike e përmasave të 11 shtatorit 2001.
Sipas Carlson, pretendimet se Irani mund të mposhtet vetëm përmes operacioneve ajrore janë "qesharake" dhe tregues i një dështimi në analizën strategjike të inteligjencës amerikane.
Kush është Tucker Carlson?
Tucker Carlson është një nga gazetarët dhe analistët politikë më me ndikim në Shtetet e Bashkuara, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj establishmentit të Uashingtonit dhe politikës së jashtme ndërhyrëse. Pas karrierës së gjatë në Fox News, ai drejton platformën e tij "The Tucker Carlson Show", ku trajton tema të nxehta gjeopolitike dhe sociale.