Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një shqetësim lidhur me sigurinë në rrugë, duke treguar një episod të rrezikshëm që ka ndodhur pak minuta më parë gjatë qarkullimit me makinë.
Sipas tij, shpeshherë bëhen kritika ndaj të rinjve se janë të nxituar në timon, bëjnë parakalime të gabuara dhe lëvizin me shpejtësi të lartë. Por këtë herë, sipas qytetarit, një situatë e rrezikshme është shkaktuar nga dy gra të moshuara, të dyja mbi 70 vjeç, njëra në rolin e shoferes dhe tjetra si pasagjere.
Ai tregon se fillimisht automjeti i tyre ndaloi papritur në mes të rrugës pa asnjë arsye të dukshme. Për të paralajmëruar situatën, qytetari thotë se u detyrua t’u binte borisë disa herë. Pas pak minutash, sipas tij, dy zonjat u rikthyen duke bërë një parakalim të rrezikshëm.
Gjatë manovrës, një makinë tjetër po vinte përballë, ndërsa korsia e djathtë ishte e mbushur me automjete, çka bëri që makina e tyre të mbetej në mes të korsisë, duke rrezikuar përplasjen me të dy mjetet. Qytetari thekson se, sipas tij, situata ishte shumë e rrezikshme dhe mund të kishte përfunduar në aksident.
Ai shton se ajo që e ka habitur më shumë ishte fakti që, gjatë gjithë situatës, dy zonjat po qeshnin dhe shikonin drejt makinës së tij.