Shtohen problemet për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, në prag të ndeshjes së “play-off”-it për Botërorin 2026 ndaj Polonisë në Varshavë. Tekniku kuqezi po përballet me mungesa të rëndësishme në repartin ofensiv për shkak të dëmtimeve.
Pas mungesave të Armando Brojës dhe Mirlind Dakut, listës së lojtarëve të dëmtuar i është shtuar edhe Rey Manaj. Sulmuesi shqiptar nuk ishte i pranishëm në fitoren e Sivassporit ndaj Hataysporit, pasi ka pësuar një dëmtim muskulor në pjesën e sipërme të kofshës së majtë.
Vetë klubi turk ka konfirmuar dëmtimin e Manajt, por pa dhënë detaje të tjera për shkallën e dëmtimit apo kohën e rikuperimit. Në njoftim thuhet se procesi i riaftësimit të futbollistit po monitorohet nga stafi mjekësor i klubit.
Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë më 26 mars në Varshavë. Nëse arrin të fitojë këtë përballje, Shqipëria do të luajë në finalen e “play-off”-it kundër fituesit të çiftit mes Ukrainës dhe Suedisë, për të mbajtur gjallë ëndrrën historike të kualifikimit në Kupën e Botës.