Një qytetare ka ngritur shqetësimin për mungesën e përgjigjes në numrat zyrtarë të kontaktit të institucioneve shëndetësore, duke thënë se për orë të tëra është përpjekur të lidhet me Spitalin Rajonal të Korçës pa marrë asnjë përgjigje.
Sipas saj, numrat e telefonit të publikuar në faqet zyrtare të spitaleve duhet të shërbejnë për orientimin e pacientëve dhe qytetarëve që kanë nevojë për informacion, por në praktikë linjat telefonike mbeten pa përgjigje.
Qytetarja shprehet e indinjuar me këtë situatë, duke theksuar se punonjësit e institucioneve shtetërore paguhen nga taksat e qytetarëve dhe duhet të jenë në krye të detyrës për t’u përgjigjur kërkesave të tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje shëndetësore.
Ajo shton se e njëjta situatë ndodh edhe me Institutin e Shëndetit Publik, ku sipas saj janë publikuar numra kontakti, por askush nuk u përgjigjet thirrjeve.
Shqetësimi i qytetares lidhet edhe me mungesën e informacionit rreth procedurës së marrjes së përgjigjeve të skanerit në spital. Sipas saj, disa pacientë i marrin përgjigjet brenda ditës, ndërsa të tjerë duhet të presin më gjatë, çka ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon protokolli në këto raste.
Denoncimi i qytetares:
“Pershendetje! Per cfare funksionojne ne web nr e kontaktit te spitaleve rajonale kur realisht nuk pergjigjet askush ne ato telefona. Kam gjithe diten qe jam duke u munduar te lidhem me spitalin rajonal ne Korce por askush nuk e hap telefonin. Paguhen persona me leket tona per te qene ne krye te detyres ne shtet, per tu pergjigjur thirrjeve te personave qe kane mevoje per nje pergjigje apo orientim por realisht nuk e hapin telefonin. Jam shume e indinjuar me kete fakt, edhe Instituti i shendetit publik po ashtu njejte. Kane numra telefoni ne te cilat nuk pergjigjet askush. Ky eshte nr i spitalit Korce ku askush nuk pergjigjet. Me interesonte te dija se si funksionon pergjigjia e skanerit, merret brenda dites per disa paciente dhe per te tjeret merret kur deshiron doktori. Si funksionon protokolli me interesonte te dija por skam se ku e marr kete pergjigje.