Një bazë ushtarake italiane në Erbil të Irakut është goditur nga një raketë gjatë orëve të natës, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë.
Mediat italiane raportojnë se shpërthimet janë dëgjuar rreth orës 23:30 me orën lokale dhe kanë qenë aq të fuqishme sa janë ndjerë në disa zona të qytetit. Njëra prej raketave dyshohet se ka rënë pranë hotelit “Divan”, një nga hotelet më të njohura dhe luksoze në Erbil.
Shpërthime të tjera janë raportuar edhe pranë zonës së aeroportit, ku ndodhet kampi ushtarak “Singara”, ku është i vendosur kontingjenti italian dhe shumë pranë tij edhe një bazë amerikane. Ende nuk është konfirmuar nëse sulmi është kryer vetëm me raketa apo edhe me dronë. Sipas raportimeve paraprake, janë shkaktuar dëme në pistën e aeroportit dhe në disa objekte përreth, ndërsa autoritetet po verifikojnë situatën në terren.
Ministria italiane e Mbrojtjes konfirmoi se një raketë goditi bazën në Erbil, por theksoi se nuk ka viktima apo të plagosur mes ushtarëve italianë. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se i gjithë personeli është në gjendje të mirë shëndetësore. Edhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, bëri të ditur se ushtarët u strehuan menjëherë në bunkerë dhe janë të sigurt, ndërsa dënoi sulmin ndaj bazës italiane.
Në bazën e Erbilit ndodhen qindra ushtarë italianë, të angazhuar në misionin ndërkombëtar për trajnimin e forcave kurde dhe në operacionet kundër ISIS.
Sipas burimeve lokale kurde, sulmi mund të jetë kryer nga milici shiite në Irak ose nga Irani, megjithatë autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësit e sulmit.