Çfarë mendoni se do të ndodh? Do t'i hapet rrugë arrestimit të ballukut? Do të ngujohet opozita në Kuvend?
Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare ku pritet të votohet kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë paraqitur dy raporte të ndryshme, duke mbajtur qëndrime të kundërta për këtë çështje. Socialistët kundërshtojnë arrestimin, duke argumentuar se Balluku nuk mban më funksione ekzekutive dhe nuk përbën rrezik për prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve, ndërsa demokratët insistojnë se heqja e imunitetit dhe arrestimi janë të domosdoshme për hetimin.
Në të njëjtën kohë me zhvillimin e seancës plenare, Partia Demokratike do të zhvillojë një protestë para Kuvendit, duke kundërshtuar qëndrimin e mazhorancës për mosmiratimin e kërkesës së SPAK. Tubimi pritet të nisë në orën 10:00 dhe të zgjasë deri në përfundim të seancës, ndërsa sipas burimeve nga opozita nuk është parashikuar skenar ngujimi.
Bazuar nga qëndrimet e mëparshme, PS pritet që sot të rrëzojë kërkesën e SPAK, duke qenë se ka dhe shumicën në parlament, ndërsa votat e pakicës, pra opoazitës, nuk mjaftojnë për aprovimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, ndaj nuk dihet nëse kjo e fundit do të reagojë fuqishëm apo thjesht si gjithmonë do të krijojë shfaqje të pavlerë në Kuvend.