Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë tonë gjendjen problematike të rrugës dytësore në aksin Tiranë–Vorë, ku sipas tij disa gropa në asfalt po shkaktojnë trafik të gjatë dhe vështirësi për qarkullimin.
Sipas raportimit të qytetarit, gropat në rrugën e amortizuar kanë vështirësuar kalimin e automjeteve, duke bërë që trafiku të shkojë disa kilometra.
“Për këto gropa bëhet trafiku kilometrik. Na e ka nxirë jetën kjo rrugë,” shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Rruga dytësore Tiranë–Vorë konsiderohet një aks me fluks të lartë automjetesh dhe me shumë biznese përgjatë saj, por drejtuesit e mjeteve thonë se gjendja e amortizuar e asfaltit po e bën thuajse të pakalueshme.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për riparimin e rrugës, pasi gropat jo vetëm krijojnë trafik të rënduar, por edhe rrezikojnë të dëmtojnë automjetet dhe të shkaktojnë aksidente.